Kanionet e Osumit , perlë e vërtetë!

Grykat e Osumit, të njohura ndryshe edhe si “Kanionet i Skraparit”, është kanioni më i madh lumor në Shqipëri. Ai gjendet në rajonin jugor të Republikës së Shqipërisë, përkatësisht në Qarkun e Beratit, Rrethi i Skraparit. Pamjet mbresëlënëse të natyrës në këtë kanion e bëjnë atë një nga më tërheqësit në rajonin e Ballkanit

Kanioni është krijuar prej forcave gërryese dhe tretëse të lumit Osum, të ushtruara në masën shkëmbore gëlqerore të strukturës antiklinale të Çorovodës, dhe është rreth 13 km i gjatë, nga 4 deri në 35 m i gjerë, i thellë deri në 70-80 m, me shpate vertikale. Koha e formësimit të tij mendohet të jetë 2 deri në 3 milionë vite më parë.

Kur udhëton në brendësi të tij mahnitesh nga bukuria befasuese, por edhe nga disa përshtypje të çuditshme dhe të pabesueshme që të krijohen: coprat e qiellit së bashku me pjesë të mureve vertikale të gëlqerorëve gri dhe të bimësisë të blertë pasqyrohen në pellgjet e shumta të lumit, duke krijuar kështu një përzjerje ngjyrash dhe formash të përmbysura, që me fluiditetin e tyre të hutojnë, të çorientojnë dhe të zhytin në një botë krejt tjetër, ireale, por që të ngjallin ndjesi të ëmbla, nga të cilat nuk ke dëshirë të dalësh. Kjo nuk është e vetmia mrekulli e këtij kanioni: në disa sektorë të tij shfaqen ujëvara të mëdha me bukuri befasuese, sidomos në ditët me diell, rrezet e të cilit zbërthehen nga piklat e ujit, duke formuar ylbere, që fillojnë nga qielli, vazhdojnë në shpatet e kanionit, nga ku pasqyrohen në pellgjet e ujit dhe në shtratin e lumit. Në këto raste e ke të vështirë të vendosësh kufirin midis tokës dhe qiellit, të shaqen ndjesi të tjera edhe më të fuqishme, që të ndjekin nga pas edhe kur del prej kanionit, madje edhe kur je larg tij, ato të ftojnë të kthehesh dhe ta vizitosh përsëri atë.

Në kater-pese vitet e fundit numri i vizitoreve që shijojnë pamjet e mrekullueshme të kanionit është rritur ndjeshëm si të atyre vendas ashtu dhe turisteve të huaj. Kanioni mund te vizitohet në dy mënyra, nëpërmjet shtratit të lumit me kanoe, kajak apo gomone, ose në rruge tokësore me automjet apo në këmbe. Lundrimi mund të bëhet në çdo stine të vitit pasi lumi nuk është shumë i rrëmbyeshëm, por zakonisht amatoret e këtij sporti preferojnë periudhën nga pranvera deri në fundin e vjeshtës. Lundrimi rafting, kajaking dhe kanotazhi mund të bëhet duke i pasur vete këto mjete, në të kundërt një shërbim i tillë të ofrohet nga shoqata sportive e liçensuar për sportin rafting në Shqipëri Albania Rafting Group, në qytetin e Beratit, e cila nëpërmjet partnerëve të saj lokalë ofron veç të tjerash dhe hotel, kuzhine tradicionale të zonës si dhe një guide rafting nëpër kanion. Paketa bazë nga Berati deri në pjesën e sipërme të kanionit dhe rafting deri në urën e Corovodës, të ofrohet për 6 mije leke të reja. Ndërsa nga toka kanioni mund të vizitohet në çdo kohe dhe me shumë pak shpenzime. Kanioni është krejtësisht një vepër e natyrës.

Lini një koment