
Parku Kombëtar Valbona ka një sipërfaqe prej 8000 ha dhe konsiderohet si mrekullia e Alpeve Shqiptare. Ndodhet 25-30 km në veri-perëndim të qytetit të Bajram Currit. Shtrihet midis majave të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë duke i dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinte dhe të papritura. Mundësi të mrekullueshme akomodimi dhe pushimi, si dhe për ata që i adhurojnë aktivitetet sportive në natyrë, mundësitë që ofron Valbona janë të shumta, duke filluar nga shtigjet për ecje, terente për të bërë kamp etj
Të bësh një udhëtim në vjeshtë, në Luginën e Valbonës, duhet të përgatitesh jo vetëm materialisht për çfarë do të marrësh me vete, por në radhë të parë shpirtërisht, për të përballuar dhe shijuar nga ana emocionale, bukuritë befasuese të këtij parku kombëtar verior të Shqipërisë, i cili tashmë është shumë i vizituar jo vetëm nga të huajt por edhe nga mjaft shqiptarë, të ngopur me detin e të etur për aventurë.
Valbona nuk është thjesht një destinacion natyror i Shqipërisë, ajo është një kompleksitet dukurish interesante, si e gjithë pjesa tjetër e Alpeve Shqiptare, që ngërthen bashkë të gjitha kuptimet e së bukurës. Valbona u tregon udhëtarëve madhështinë e saj përmes maleve hijerënda, thellësinë e saj përmes pyjeve e humnerave, pastërtinë e saj përmes ujit të kristaltë ku vallëzojnë troftat e arta, mikpritjen e saj përmes njerëzve të mrekullueshëm që ka, bukurinë e saj përmes veshjeve shumëngjyrëshe të zonës. Çfarëdo faqeje që t’ju tregojë Valbona, është një sinonim i së bukurës. Edhe rruga për në Valbonë është një vrapim i bukur mes malesh e ujrash, nëpër luginën e Fierzës, ku vjeshta ka mundur të ndryshkë vetëm shkurret e shpateve të thyera, duke e kthyer peisazhin në një spektakël të vërtetë gjyrash – nuanca të së kuqes – që pasqyrohen mbi syprinën e gjelbër të liqenit.
